TIRANE– Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka shpërndarë sot 500 licenca për administratorët e pallateve në kryeqytet. Veliaj theksoi se nuk të bën evropian pasaporta, as kufiri, por mënyra se si sillemi dhe si bëjmë menaxhimin e jetës sonë në ambientet ku jetojmë.

Nga sot, 500 pallate në Tiranë do të kenë një administrim më të mirë duke vendosur një standard të ri në zgjidhjen e problemeve që shqetësojnë banorët në lidhje me ambientet e përbashkëta në komunitet.

“Nisi si një ëndërr ndoshta e pamundur dhe sot është realitet dhe dua që në fund fare t’i jap urimin 500 administratorëve që sot marrin certifikatën për të qenë përfaqësuesit e qytetarisë në çdo pallat dhe në çdo shkallë e lagje të qytetit të Tiranës. Në thelb duhet të pranojmë edhe diçka tjetër, janë edhe 500 vetë që punësohen sot dhe nuk punësohen se i punëson shteti apo ndonjë kompani e madhe, i kanë gjetur punë vetes, kanë bindur të gjithë banorët që janë njeriu ose burri apo gruaja më e ftilluar e pallatit të tyre”, tha Veliaj.

Aktualisht 2425 pallate kanë krijuar asamblenë e banorëve duke gjeneruar në këtë mënyrë edhe një numër të konsiderueshëm vendesh të reja punësimi me zgjedhjen e administratorit. Kreu i Bashkisë deklaroi se procesi do të vijojë për finalizimin e zgjedhjes së asambleve dhe të administratorëve edhe për pjesën tjetër të mbetur.

Ndërkohë, nga sot të gjithë pallatet e Tiranës kanë detyrimin të zgjedhin asamblenë e banorëve dhe administratorin brenda 6 muajsh, pasi në të kundërt, atëherë këto pallate do të jenë të detyruara të pranojnë një kompani administruese që do t’ju caktohet nga Bashkia.

Bashkë me certifikimin e administratorëve të pallateve, Bashkia e Tiranës ka menduar dhe për fuqizimin e rolit të tyre duke i dhënë kompetenca që të vendosin sanksione për të gjithë ata që nuk respektojnë normat e të jetuarit në komunitet. “Fuqia që i kemi dhënë administratorit për të vënë gjobë, bashkuar me fuqinë e bashkisë për t’i vjelë gjobat, është një mënyrë për t’i thënë disa njerëzve që nëse u fute në bashkësinë tonë, respekto rregullat”, u shpreh ai.

Një nga projektet e suksesshëm të Bashkisë së Tiranës është dhe ai i fondit të Komuniteteve. Kryetari i Bashkisë ftoi të gjithë banorët që përmes administratorëve të zgjedhur të aplikojnë për këtë fond. “Lajmi tjetër i mirë është fondi i komuniteteve. Ajo që unë kam vendosur bashkë me kolegët e Bashkisë është që fondi që këtë vit e kishim 200 milionë lekë, vitin tjetër do e dhjetëfishojmë, do e bëjmë 2 miliardë lekë. Do të thotë t’u japim mundësi të gjithë administratorëve, që ne mund t’i përmirësojmë hapësirat e përbashkëta”, shtoi ai.

(BalkanWeb)

Burimi: BalkanWeb.com

Linku i artikullit origjinal: ift.tt/2xUiYRw

%d bloggers like this: