Qeveria ka nisur negociatat me koncesionarin e Rrugës së Kombit në lidhje me rishikim e tarifave për përdoruesit e banorët e zonës që preken.

Top Channel ka mësuar se po bisedohet për të pasur një ulje rreth 50% të tarifës, ndërkohë në komisionin e ekonomisë Ministri i Financave pranoi nisjen e negociatave përpara afateve të përcaktuara në kontratë. Rezultatet priten brenda dy javësh.

“Kontrata, në logjikën e saj, i referohet negociatës pasi të dalin statistikat. Kryeministri ka kërkuar që kjo negociatë të bëhet përpara se të dalin statistikat për të përfshirë si një paketë sociale solidariteti”, tha ministri Ahmetaj.

Opozita nuk ishte e pranishme në raportimin në komision të ministrit Ahmetaj, ndërkohë që kryetari Erion Braçe kërkoi pikërisht që të ketë lehtësira për banorët që preken nga vendosja e tarifave për kalimin në Rrugën e Kombit.

“Një kategori e caktuar, qoftë përdoruesish atje, qytetarë, banorë të zonës, duhet të përjashtohen nga pagesa e asaj tarife. Do të doja të dija, nëse ju po i mëshoni kësaj pike në negociatat që ju po bëni me koncesionarin”, tha Braçe.

“Kontratat që do ndryshojë i referohet një procedure shumë të detajuar, rigoroze ligjore që kalon në një sërë filtrash. Ato që ju keni shqetësime janë në tryezën e negociatës”, tha ministri Ahmetaj.

Në negociata me koncesionarin po bisedohet edhe në lidhje me reduktimin e tarifimit për mjetet e transportit të qytetarëve.

4 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)

Burimi: Gazeta SHQIP Online

Linku i artikullit origjinal: ift.tt/2GAOi9d

%d bloggers like this: