14 tetor 2014, është data kur droni i cili mbante flamurin me dy fotografi të Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, hartën e Shqipërisë etnike me në qendër shqiponjën e Skënderbeut dhe me mbishkrimi ‘Autochthonous’, shkaktoi trazira të mëdha në ndeshjen Serbi-Shqipëri.

Ndeshja e cila po zhvillohej në stadiumin e Partizanit në Beograd, ishte e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Evropian ‘Franca 2016’, shkruan Ksp.

Kur po afrohej fundi i pjesës së parë, rezultati në mes të dy përfaqësueseve ishte 0-0, dhe atmosfera në stadium ishte e qetë.

Duke filluar nga minuta e 40-të, tifozët vendas filluan të gjuanin fishekzjarre dhe disa objekte të tjera në fushë, dhe kjo bëri që referi Martin Atkinson të ndërpriste dy herë ndeshjen.

Në minutën e 42-të mbi stadium fillon të ‘fluturojë’ një dron i cili mbante flamurin me simbole patriotike shqiptare.

Flamuri me dy fotografi të Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, hartën e Shqipërisë etnike me në qendër shqiponjën e Skënderbeut dhe me mbishkrimin ‘Autochthonous’, filloi të zbresë ngadalë në fushë.

Ndeshja u ndërpre nga gjyqtari dhe mbrojtësi serb Stefan Mitroviq hidhet për të marrë flamurin.

Menjëherë lojtarët shqiptarë, Andi Lila dhe Taulant Xhaka vrapojnë drejt tij për t’ia marrë atë dhe Bekim Balaj arrin ta rrëmbejë flamurin, duke e dërguar te gjyqtari i katërt.

Kjo shkaktoi hyrjen e tifozëve serbë në fushë, të cilët filluan të godisnin futbollistët shqiptarë, me grushte, karrige dhe objekte të tjera, të cilët pas kësaj u detyruan të largohen nga fusha.

Në këtë mënyrë, Atkinson vendosi ta ndërpresë ndeshjen, dhe më 24 tetor 2014, UEFA vendosi që ndeshja të fitohej nga Serbia me rezultatin 3-0.

Por, Shqipëria e apeloi këtë vendim në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), të cilët me 10 korrik 2015, vendosën që t’i japin fitoren 0-3 Shqipërisë.

Një vendim i tillë e la Serbinë në vend të fundit me -2 pikë, duke i hequr çdo mundësi për tu kualifikuar në UEFA Euro 2016, ndërsa Shqipëria arriti që në fund të kualifikimeve të rrëmbente vendin e dytë në grupin I, për t’u kualifikuar në Francë.

Ballisti Ismail Morina i cili ka pranuar se është ai që ka drejtuar dronin atë ditë në Beograd, është arrestuar në Kroaci, pas arrestit ndërkombëtar që ka ngritur për të Serbia.

Burimi: KOHA.net

Linku i artikullit origjinal: ift.tt/2ypOVRx

%d bloggers like this: